tisdag 29 oktober 2019

Koncepti i femërores në aspektin fiziologjik dhe psikologjik

 Koncepti i femërores në aspektin fiziologjik dhe psikologjik

Midis natyrës e karakteristikave femërore dhe natyrës e karakteristikeve mashkullore ekzistojnë dallime të qarta. Për të evidentuar dallimin midis këtyre tipareve mashkullore dhe femërore në aspektin biologjik/fiziologjik dhe social bazohemi te disa studime fiziologjike, psikologjike dhe sociale, të cilat paraqesin pikëpamjen e kësaj dikotomie:


1.  Midis të gjitha ndryshimeve që ekzistojnë te njerëzve, ndryshimi më i madh është midis burrit dhe gruas. Këto dallime në tiparet e tyre vijnë, sipas shpjegimit psikologjik, së pari parë nga dallimet në strukturën e tyre të trupit. Fillimisht dallimet kanë një bazë fizike. Dallimet janë të dukshme edhe në karakteristikat sekondare seksuale, duke përfshirë këtu fuqinë muskulare, peshën specifike të gjakut, diferencat në zë, etj. 

2.  Një ndryshim i dytë midis dy gjinive që nuk mund të mënjanohet,  është vazhdimësia e racës, e cili është vendosur në trupin dhe funksionet trupore të gruas. Pavarësisht zhvillimit të teknologjisë dhe eksperimenteve të shumta, mënyra se si njeriu krijon një jetë, duhet që të ketë në trupin e vet organet femërore, një shenjë kjo e funksionit të gruas.

Përkundër këtyre dallimeve fizike, ato nuk nënkuptojnë ndonjë inferioritet. Gruaja I ka të gjitha mundësitë dhe të gjitha funksionet e saj të na tregojë se fati i saj është të jesh nënë, e megjithatë sado që gruaja mund të përpiqet ta refuzojë këtë funksion, ajo do të duket qesharake. Përvoja e përditshme dhe vëzhgimi sistematik, na tregon mbi dallimet në karakter midis gjinive, të cilat kanë qenë objekt i studimit nga shumë psikologëve. Mashkullorja dhe femërorja janë aspekte të rëndësishme të personalitetit njerëzor. Kontrasti mashkullor-femërore është ndoshta aq thellësisht i bazuar, qoftë nga natyra ose e trashëguar, sa çdo gjë tjetër që paraqet temperamenti njerëzor. 


Në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë ky kontrast, është burimi i shumë vështirësive akute në përshtatjen sociale dhe seksuale të individit, dhe në pjesën më të madhe ai siguron një shtysë shumë të rëndësishme në punën krijuese dhe lumturinë e njeriut.  Problemi është të përcaktojmë pozitën e gruas në botën moderne. Duke e bërë këtë, është e nevojshme të marrim në konsideratë cilësitë dalluese fizike, intelektuale dhe aftësitë morale, të cilat do të përcaktojnë kontributin e gruas në qytetërimin aktual. Siç është përmendur më lart, një pjesë e dilemës së gruas ka lindur nga fakti se qytetërimi ynë është mashkullor. Nëse gruaja moderne do të vendosë një ekuilibër, ajo duhet të bëhet e vetëdijshme se ku qëndron feminiteti i saj i vërtetë.


 Kontrasti dikotomik burrë-grua

Një nga objektivat e feministeve të shekullit të XIX-të ishte të provonin se gratë ishin të barabarta intelektualisht me burrat. Gratë janë intelektualisht të barabarta me burrat, por me një ndryshim. Dallimi konsiston në sferën e aplikimeve praktike. Gratë nuk ndryshojnë në mënyrë sasiore nga burrat, por ato ndryshojnë në cilësi dhe në mënyrën e funksionimit të aftësisë mendore, drejtimi që i japin zgjidhjes së situatave. Femrat shpesh mendohen se janë të palogjikshme krahasuar me meshkujt vetëm për shkak se ato janë më shumë të përqëndruara në zgjidhjen e problemeve të menjëherëshme, më konkrete, ndërsa meshkujt në arritjen e njohurisë, përdorin gjithmonë metodën e kalimit nga procesi i induksionit ose i deduksionit. 


Mendohet se ndërsa logjika e burrit është një logjikë e arsyeshme, logjika e gruas është një logjikë e dëshirës. Pse gratë duket se e refuzojnë logjikën? Arsyeja pse gratë përpiqen për të zgjidhur diçka nga premisa të ndryshme, tregon mënyrën se si ato arrijnë në përfundime. Gratë zakonisht humbasin në detaje. Ato zakonisht kombinojnë alternativa, gjërat e rëndësishme dhe të parëndësishme dhe këto detaje përbëjnë një pengesë për gruan, sepse në këtë mënyrë, ajo do të harrojë gjërat më thelbësore. Kjo ndodh për shkak se zakonisht gratë janë mësuar të përfshijnë emocionet apo ndjenjat e tyre në nxjerrjen e konkluzioneve. Kjo përqasje e madhe mund të jetë shumë e dobishme për gruan, sepse vëmendja për detajet zhvillon një fuqi më të madhe të vëzhgimit, e cila njihet edhe si natyra e dytë e gruas, prandaj kjo njihet si një karakteristikë tjetër e feminitetit.   

Ky vëzhgim i detajeve na çon te nocioni i intuitës. Një grua është e aftë të shohë përtej një situate të caktuar dhe të arrijë në një gjykim pa zhvilluar procesin e arsyetimit në rrethana të caktuara. "Prandaj, gruaja na çon në ndjenja të lidhjes së individëve. Gruaja mund t’i perceptojë njerëzit më shumë se sa burri dhe kur ajo bëhet nënë, aftësia saj për të studiuar çdo lëvizje, shenjë, zë dhe shprehje të fëmijës është e paçmueshme në  reagimin e saj të mprehtë intuitiv". Për më tepër gratë nuk mund t'i shpjegojnë disa përfundime të caktuara, kjo sepse  ato janë thjesht rezultat i intuitës së tyre. Pse ndodh kjo? Ndoshta përgjigjja gjendet në identifikimin e gruas me tjetrin. Gruaja mund të gëzojë dhe të gëzohet me lumturinë e tjetrit, por edhe mund të vuajë nga dhembjet e mundimeve të tjetrit. 

Ky raport i domosdoshëm me të tjerët është një nga tiparet më intime dhe karakteristike të cilësive femërore; kjo është nevoja e saj për dikë tjetër.  Në përgjithësi është pranuar se gratë angazhohen natyrshëm me emocionet e tyre në çdo raport, personal ose jo qoftë ai. Në një farë mënyre, ne mund të mendojmë se ky altruizëm, që do të thotë  sakrifikim i përvojave të saj emocionale, të cilat janë jetike për të dhe feminitetin e saj, si dhe ekzistenca për të tjerët), nga ana e gruas shihet si e  domosdoshme për mbijetesën e llojit, ose të racës.

 Ndjenja e nevojës për tjetrin na con në konceptin e varësisë. Kjo ndjenjë ka lindur nga dëshira apo nevoja të ngutshme për sigurinë, e cila ka munguar në natyrën e grave, për shkak të sensit të inferioritetit. Inferioritetiti është rezultat i rrethanave historike dhe sigurisht rezultat i  imponimit të supremacisë mashkullore. Psikologu Rudolf Allers (Rudolf Ajer)  ka përmendur në veprën e tij "Psikologjia e karakterit" se "emocionalizmi i gruas është në një masë të madhe e lidhur me faktorin e dekurajimit". Dekurajimi, siç shpjegon Dr. Ajers, vjen nga përvoja. Sipas tij, në ditët tona gratë, nga fëmijëria e hershme u është caktuar një rol dytësor, ato trajtohen si "thjesht vajza" dhe rezultati është se ato kanë  mungesë të vetëbesimit.  Disa prej studiuesve në fushën e psikologjisë femërore kanë vënë re një përfshirje më intensive të gruas sesa të burrit në një marrëdhënie.  

 Në mënyrë tipike, edhe pse jo gjithmonë, racionalja është në kontrast me emocionalen. Ky çift kontradiktor shpesh lidhet me dikotomi të tjera. Jo vetëm që arsyeja është në kontrast me emocionet, por ajo lidhet me të logjikshmen, kulturën, universalen, publiken dhe mashkullin, ndërkohë që emocioni është shoqëruar me të paarsyeshmen, fiziken, natyroren, të veçantën, privaten dhe natyrisht femrën.  Teoricienët feministë kanë vënë në dukje se tradita perëndimore nuk i ka parë të gjithë njerëzit si të barabartë emocionalisht. Në të vërtetë, arsyeja është shoqëruar me grupet dominante politike, sociale dhe kulturore, ndërsa emocioni me grupet vartëse. Më të dallueshëm në mesin e këtyre grupeve vartëse apo nënshtruese, në shoqërinë tonë, janë njerëzit me ngjyrë dhe gratë. Dobësia fizike e grave dhe varësia ndaj tjetrit, ishin pasoja të pabarazisë gjinore dhe jo shkaku i saj. Emocionaliteti i grave është një stereotip i njohur kulturor, por jo i bazuar mirë. Femrat duket se janë më emocionale sesa burrat për shkak se ato kanë më shumë gjasa për të shprehur emocionet më hapur. Studimet kanë përcaktuar disa prej gjendjeve emocionale të grave: 

1. Varësia: në mënyrë të pashmangshme, për shkak të nevojës së saj për të tjerët, gruaja është e varur prej tyre. Gruaja varet nga burri, sepse ajo shpreson që të fitojë sigurinë prej tyre. Nga mungesa e saj, dhe për më tepër, dëshira për të pasur siguri, bën që kjo e fundit të fitohet me vështirësi, drojë dhe vrazhdësi, e cila është shpesh një karakteristikë femërore. Kjo pasohet edhe me një ndjenjë të inferioritetit, e cila nga ana e saj është prodhuar pjesërisht nga kushtet sociale. E gjithë shoqëria është e organizuar  në mënyrë të tillë, që të imponojë superioritetin mashkullor.  

2. Ankthi: emocionaliteti i gruas është në një masë të konsiderueshme e lidhur me faktorin e dekurajimit. Dekurajimi shpjegohet me rolin dytësor në jetën shoqërore të grave. Kjo përvojë e jetës së tyre që nga fëmijëria i le ato në një mungesë të vetëbesimit. 

3. Intensiteti në marrëdhëniet personale: Gruaja gjen kënaqësinë më të madhe emocionale në marrëdhënie me tjetrin. Kjo sepse në të dhe nëpërmjet saj ajo përfshin gjithë qenien e saj. Gruaja është tërësisht e përfshirë nga personi tjetër në mënyrë të tillë që për meshkujt duket e pakuptimtë. Në kulturën perëndimore, pak kohë më parë, besohej se gruaja, e cila nuk i  shpreh shumë emocionet, dyshohej se nuk ishte një femër e vërtetë, ndërsa burrat që mbase ndiheshin të lirshëm të shprehin emocionet e tyre, dyshohej se nuk ishin meshkuj të vërtetë, apo e shprehur ndryshe, devijonin nga ideali mashkullor. Ata do të paragjykohshin në qoftë se shprehnin emocion, mërzi, që do të thotë se kjo nuk ishte e zakonshme për ta. Aristoteli thotë: "Kushdo që nuk zemërohet kur ka arsye për të qenë i tillë, ose që nuk zemërohet në mënyrën e duhur, në kohën e duhur, dhe me njerëzit e duhur, është i pamatur".  Duke marrë në konsideratë marrëdhënien midis emocioneve dhe arsyes në dikotominë midis burrit dhe gruas, lindin disa pyetje: a)      Pse duhet të besojmë në reagimet emocionale të grave si një grup vartës? b)      Cilat emocione mund të pranohen dhe cilat mund të hidhen poshtë?

Të gjitha sa u trajtuan më lart lidhen me faktin se si e kuptojmë ne botën dhe kush jemi ne, si të ndryshëm nga njëri-tjetri në raportin më të dallueshëm burrë - grua. Kjo shihet në një këndvështrim epistemologjik. Arsyeja pse gratë arrijnë në përfundime të ndryshme nga burrat, është sepse reagimet tona emocionale ndaj situatave të ndryshme, realizohen sipas botëkuptimit të secilit, sipas mënyrës se si ne e konceptojmë botën dhe se si reagimet tona të ndryshme emocionale na stimulojnë më pas në arritjen e njohurive të reja. Këto formime të reja racionale dhe emocionale, na ndihmojnë ne për të rindërtuar njohjen ndaj botës, jo vetëm si një objekt i jashtëm, por edhe në marrëdhënie me të, me pozicionin tonë shoqëror në të, me veprimet tona, me vlerat, perceptimet dhe emocionet tona, të cilat janë të pandashme nga rindërtimi i vetes sonë. Studiuesit sot pranojnë se më e besueshme është e vërteta që bazohet në përgjithësime, të cilat kanë formën e dokumenteve të përligjura historike, por meqë hartuesit e këtyre dokumenteve kanë qenë meshkuj, priret që e vërteta në histori të ketë pamje të njëanshme. Në këtë prirje është e dukshme se mungon forca e grave, të cilat kanë qenë pjesë e zhvillimeve historike dhe madje kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në histori.   



FEMINIZMI NË DISKURSIN FILOZOFIK POSTMODERN
REFLEKSION MBI TEORINË E JULIA KRISTEVËS

M.sc. Mitjana Profiri

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.