söndag 29 september 2019

Radio Lyra

...Veçoritë fonetike që kanë një varg toponimesh të Shqipërisë së veriut dhe të Kosovës në serbishten tregojnë se këto kanë kaluar nëpërmjet një ambienti iliroshqiptar prej nga i kanë marrë sllavët si p. sh. Skardus mons -Mali i Sharrit, dhe jo Skrad, siç mund të pritej në bazë të ligjeve fonetike të sllavishtes, si edhe emrat Naisus-Nish, Skupi-Shkup etj. Emri i lashtë me të cilin populli ynë i quajti sllavët ,,shkja”, që rrjedh nga latinishtja vulgare ,,sklavus”, tregon se njohja e iliro-shqiptarëve me sllavët u bë në një rrethanë ku zotëronte akoma si gjuhë kulture latinishtja.... 

onsdag 25 september 2019

Ligji i Karmës (Veprimit) apo i Shkakut dhe Efektit (e martë)

KARMA ËSHTË NJËKOHËSISHT SHKAKU DHE EFEKTI I VEPRIMEVE TUAJA. 

Çdo veprim prodhon forcë të energjisë që na kthehet në të njëjtën mënyrë që e dërgojmë. Karma e sugjeron veprimin e bërjes së zgjedhjes me vetëdije. Disa nga këto zgjedhje bëhen vetëdijshëm, derisa të tjerat bëhen pavetëdijshëm.
Çdo mendim është ose memorje ose dëshirë. Me fjalë tjera: është ose interpretim, ose zgjedhje. Memorja, dëshira dhe veprimi janë të ndërlidhura në një cikël të vazhdueshëm. Pa memorje nuk ka dëshirë. Pa dëshirë nuk ka veprim, nuk ka karmë dhe pa karmë nuk ka memorje. Pra të gjitha janë gjëja e njëjtë. Dhe çdo mendim që e keni gjenerohet karmikisht. Prandaj Çopra nuk pajtohet me thënien "duhet të mundohesh të kesh mendime pozitive". Nuk mund të provoni të keni qëndrim pozitiv. Por qëndrimi juaj do të ndryshojë dhe mendimet tuaja do të ndryshojnë spontanisht nëse zgjedhjet tuaja janë karmikisht të duhurat, sepse janë ato zgjedhje karmike që i prodhojnë ato mendime.


Mënyra më e mirë për ta maksimizuar përdorjen e Ligjit Karmik është të bëhemi plotësisht të vetëdijshëm për zgjedhjet që i bëjmë në secilin moment. Çdo gjë që po ndodh në këtë moment është rezultat i zgjedhjeve që i keni bërë në të kaluarën.
Si duket reagimet tona shpesh shkrehen automatikisht nga njerëzit dhe rrethanat. Shpesh jemi duke i bërë pavetëdijshëm këto zgjedhje. Nëse ndaleni për një moment dhe i vëzhgoni zgjedhjet që po i bëni derisa i bëni ato, tërë procesin e bartni nga sfera e pavetëdijshme në sferën e vetëdijshme. Kjo procedurë e bërjes së zgjedhjeve dhe e vëzhgimit në mënyrë të vetëdijshme është shumë fuqizuese. Pyeteni veten për pasojat e secilës zgjedhje që e bëni. "A do të më sjellë kjo zgjedhje lumturi mua dhe të tjerëve?" Zemra e ka një aftësi të llogaritjes që është larg më korrekte dhe larg më precize se sa gjithçka brenda kufijve të mendjes racionale.

Mund ta përdorni Ligjin e Karmës për të krijuar para dhe begati dhe rrjedhën e të gjitha gjërave të mira kah ju, në çdo kohë që dëshironi. Por së pari duhet të bëheni plotësisht të vetëdijshëm se e ardhmja juaj prodhohet nga zgjedhjet që po i bëni në secilin moment të jetës suaj. Nëse e bëni këtë rregullisht, atëherë jeni duke e përdorur plotësisht Ligjin e Karmës. Sa më shumë që merrni vendime të vetëdijshme, aq më shumë do t'i bëni ato zgjedhje që janë spontanisht korrekte – edhe për ju edhe për ata përreth jush.
E karma e kaluar? Një mënyrë për ta çliruar atë është që atyre që iu keni bërë keq t'iu kërkoni falje, vetëdijshëm dhe sinqerisht. Ligji i Karmës thotë se asnjë borxh në univers nuk mbetet i papaguar. Është një sistem i përkryer i llogaritjes në univers. Çdo gjë është në shkëmbim të vazhdueshëm të energjisë. Pyeteni veten derisa jeni duke e paguar borxhin tuaj karmik: "Çka mund të mësoj nga kjo përvojë? Pse po ndodh kjo dhe cila është porosia që po ma jep universi? Si mund ta bëj këtë përvojë të dobishme për qeniet njerëzore?"
Një mënyrë tjetër për t'u marrë me karmën e kaluar është ta transcendoni atë. Ju i transcendoni farat e karmës suaj duke shkuar në zbraztësi dhe duke dalë prapë jashtë. Kjo bëhet përmes praktikës së meditimit. Esenca e Ligjit të Karmës është ideja e shkakut dhe efektit. Duke i bërë hapat e nevojshëm për t'iu sjellë lumturi dhe sukses të tjerëve, universi do të shkëmbejë duke ju furnizuar me lumturi dhe begati.
 

Aplikimi i Ligjit të Karmës (Veprimit) apo të Shkakut dhe Efektit
Do ta vë në efekt Ligjin e Karmës duke u zotuar t'i ndërmarr hapat vijues:
1. Sot do t'i vëzhgoj dhe do t’i dëshmoj zgjedhjet që i bëj në secilin moment. Dhe thjesht në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, do t'i sjell ato në vetëdijen time të plotë. Do ta di se mënyra më e mirë të përgatitem për secilin moment në të ardhmen është të jem plotësisht i vetëdijshëm në të tashmen.
2. Sa herë që e bëj një zgjedhje, do t'ia bëj vetes dy pyetje:

"Cilat janë pasojat e kësaj zgjedhjeje që po e bëj?", dhe

"A do të më sjellë kjo zgjedhje përmbushje dhe lumturi mua dhe po ashtu edhe atyre që ndikohen nga kjo zgjedhje?"
3. Pastaj do të kërkoj udhërrëfim nga zemra ime dhe do të udhëzohem nga mesazhi i saj i rehatisë apo i parehatisë. Nëse zgjedhja ndihet e rehatshme, do të vazhdoj me shkujdesje. Nëse zgjedhja ndihet e parehatshme, do të ndalem dhe do t'i shoh, me të pamurit tim të brendshëm, pasojat e veprimit tim. Ky udhërrëfim do të ma mundësojë të bëj zgjedhje spontanisht korrekte për veten dhe për të gjithë rreth meje. 



Deepak Chopra 

Shtatë ligjet shpirtërore të suksesit

söndag 22 september 2019

Paragjykimet në familjen e bashkëshortit

 Paragjykimet në familjen e bashkëshortit

Në Farkë, popullsia ka përbërje heterogjene: me vendas nga pjesa kodrinore dhe malore e Tiranës dhe me të ardhur kryesisht nga rrethet e Kukësit dhe të Dibrës. Megjithëse në mendësitë e shumicës së banorëve veprojnë norma kulturore të krahinës së Tiranës, ekziston edhe një përzierje e ndërsjelljte  nënkulturash mes vendasve dhe të ardhurve për shkak të bashkëjetësës disavjeçare në të njëjtin territor. Edhe pse mund të mos kenë ndikimin e dikurshëm, normat tradicionale, të mbartura ndër shekuj dhe të përmbledhura në kode sjellore, veprojnë ende dhe shërbejnë si rregullatore të sjelljes në familje dhe bashkësi. Kanunet me më shumë ndikim janë: Kanuni i Bendës për  vendasit, Kanuni i Lumës për banorët me origjinë nga qarku i Kukësit dhe Kanuni i Skenderbeut për banorët e malësisë së Tiranës dhe Dibrës. 


Të tre kanunet kanë shumë ngjashmëri me Kanunin e Lekë Dukagjinit, aq sa duken si nënvariante të tij. Kanunet kanë pasur shumë ndikim në mendësitë dhe sjelljen e banorëve të zonave rurale dhe kanë shërbyer si ligje për banorët. Ndikimit të tyre nuk i shpëtonte dot asnjë familje pa u ndëshkuar moralisht nga bashkësia. Agjencia e kontrollit kolektiv ka shërbyer si mekanizëm për zbatimin dhe ruajtjen e normave kanunore deri në ditët e sotme. Sikurse thuhet në Kanunin e Skëndërbeut “Kanuni asht ligj për të gjithë, përndryshe ndahesh prej shoqnisë” (Ilia, F., 1993:17). Ndëshkimet për moszbatim të normave kanunore nuk ishin vetëm morale, por edhe materiale, si: djegje shtëpie, grimja katundarisht e pjesëtarit të familjes që nuk zbatonte kanunin, lëçitja ose dëbimi i familjes nga vëllazëria e katundi, djegja e shtëpisë dhe rrënimi i pasurisë, gjobat, etj. 

 Megjithë ngjashmërinë mes tyre, kanunet dallojnë për nga ngjyresat nënkulturore që kanë ndikim tek banorët mbi të cilët zbatohet. Të ardhurit në Farkë, duke qenë nga Kukësi dhe Dibra, kanë rrjetin e tyre simbolik të vlerave nënkulturore, i cili ndryshon paksa nga ai i nënkulturës tiranase. Të ardhurit janë të lirë t’i përmbahen vlerave të nënkultureës së tyre, për aq kohë sa nuk janë në kundërshtim me normat vlerore të vendasve. Për ruajtjen e traditës nënkulturore nga komunitetet e ardhura në një zonë pritëse, si pasojë e migrimit të brendshëm Zyhdi Dervishi shprehet: “Në shoqërinë tradicionale shqiptare, komunitetet e vogla të banorëve të një fisi ose fshati kishin hapësirë të konsiderueshme të zhvillonin traditat e veta nënkulturore, me kusht që të mos cënonin normat kryesore kulturore dhe interesat e grupimve shoqërore më të mëdha si banorët e bajrakut” (2013:35).

 Gjithashtu, etnografja shqiptare Andromaqi Gjergji që ka studiuar me imtësi mënyrën e jetesës së banorëve të fshatrave, vëren se “në jetën e përditshme marrëdhëniet e jetës familjare në fshat rregulloheshin nga norma e zakone të pashkruara kanunore” (2002:48).  Në studim 72.0 për qind janë gra të martuara, të cilat dëshmojnë se kanë qenë pre e paragjykimeve të shumta në të gjitha fazat e jetës bashkëshortore që nga fejesa e deri sa janë bërë nëna. Edhe pse janë paragjykuar më shumë në martesë, gratë pohojnë se me paragjykimet në familjen dhe fisin e bashkëshortit janë përballur më herët, që në fejesë, 21 për qind e grave janë paragjykuar si të fejuara dhe 23 për qind janë paragjykuar si nëna.  

Përqindja relativisht më e ulët e paragjykimeve në kohën e fejesës ka të bëjë me faktin se, gjatë kohës që janë të fejuara, vajzat nuk jetojnë në shtëpinë e bashkëshortit e, për pasojë, familjarët dhe të afërmit e tij nuk kanë mundësi të kenë kontakte, ndërveprim dhe komunikim të përditshëm me to. Si të fejuara, ato më shumë vëzhgohen së largu, për mënyrën se si sillen në lagjen ku banojnë, në vendin e punës, në marrëdhëniet me fqinjët, etj., se sa së afërmi. Marrëdhëniet me familjarët e të fejuarit janë të pakta, ndodhin kryesisht gjatë vizitave të nuses së ardhshme në shtëpinë e djalit, dhe në këto vizita të dyja palët, si nusja edhe familjarët e dhëndrit mundohen t’i bëjnë përshtypje të mirë njëri-tjetrit. Në këto takime, vajza e fejuar është më shumë në statusin e mikeshës se sa të nuses së shtëpisë. Duke qenë se vizitat janë të rralla dhe zgjasin pak, asnjëra palë nuk ka mundësi të vendosë një raport të çlirët marrëdhëniesh familjare dhe të jetë vetvetja. Ceremoniali i vizitës nuk lejon shkrirjen e plotë të akullit që imponon përkohshmëria. Vetëm bashkëjetesa e përditëshme nën të njejtën çati do mund të hiqte velin me të cilin mbulohet sjellja e vertëtë. Mosnjohja e thellë bën që familjarët e të fejuarit të jenë paragjykues për cilësitë dhe aftësitë e nuses së ardhshme, parë në dritën e pritshmërive kulturore që ata kanë për të si nuse zakoni.

NDRYSHIMET BASHKËKOHORE NË MENDËSITË E SHQIPTARËVE PËR VAJZAT DHE GRATË 
Merita Poni

söndag 15 september 2019

Idetë e para të feminizmit mbi ndarjen gjinore

Idetë e para të feminizmit mbi ndarjen gjinore

Historikisht, gruaja ka pasur një mungesë të statusit të saj. Ky fakt është i qartë në shoqëri të ndryshme. Zakonisht figura e një gruaje është fshehur nga të tjerët, por në të njëjtën kohë, edhe ajo vetë ka fshehur veten. Ky lloj personi nuk thotë shumë për atë se si të bësh projekte. Kjo ide është përmendur nga Simone de Beauvoir (Simon dë Bovuar). Këtu ngrihet një pyetje: Si të bëjmë projekte? Duke e bërë vetë projektin tuaj, kjo e bën një grua të rëndësishme. Dhe kjo është ajo që pikërisht Simon dë Bovuar kërkonte për të vënë në dukje, të kemi të drejtën për të bërë zgjedhjet tona, kjo është ajo që na bën ne gra6. Është diskutuar më parë, shumë vite më parë, qëkurse feminizmi ka nisur rrugën e tij në mënyrë revolucionare për të ndryshuar statusin e grave, për të ndryshuar atë që ka qenë e shtypur nga bota mashkullore. Si rrjedhojë, shtëpia sot nuk ze më një vend qendror, dhe kjo është, përveç shumë arsyeve të tjera, sepse gratë janë në kërkim të pozitës së tyre në botë, në jetën e tyre personale, në ndërtimin e imazhit të tyre si subjekt dhe jo më si një predikat. Kështu shprehet Mary Beard (Meri Bërd) te kryevepra e saj “Gruaja si një forcë në histori: Një studim mbi traditat dhe realitetet” (1946), se “Gruaja është e ndryshme nga burri, por kjo nuk do të thotë se kontributi i grave ka një vlerë më të pakët, grave nuk u njihej kontributi real në histori”. Ajo këmbëngulte se “gratë mund t’i ofronin shoqërisë diçka të ndryshme nga ajo që mund t’i ofronin burrat”


 Evoluimi i imazhit të gruas në kohë
"Shoqëria ka ndryshuar, por natyra e gruas mbetet e njëjtë: jo inferiore ndaj burrit, por e ndryshme prej tij".  John Fitzsimons.

Në fund të shekullit të XX-të, antropologë, arkeologë, etnologë dhe kërkues të tjerë, eksploruan mbi origjinat sociale. Gruaja bën dallimin e parë mes njeriut dhe kafshës. Përsa i përket rolit që ka luajtur gruaja në shoqëritë primitive, asaj duhet t’i jepen të gjitha kreditet sepse ka qenë ajo, e cila ka bërë dallimin e parë të mprehtë midis qenieve njerëzore dhe bishave të mëdha grabitqare.

Ku konsistonte dallimi? Në ndërgjegjen e njeriut zuri vend koncepti i lumturisë. Është një triumf i qytetërimit ndryshimi i mënyrës së jetesës nga gruaja. Dallimi konsistonte te gatimi, përgatitja e veshjeve, shpikja e kasolleve të banimit, manifakturimi i enëve prej qeramike, zgjerimi i dietës, mësimi i gjërave për mjekim, zbutja e kafshëve me qëllim shërbimin ndaj njerëzve, zgjerimi i komunikimit të ndjenjave dhe ideve nëpërmjet të folurit, këngës e leximit, punimi i tokës, etj. Këto janë rezultate të nxjerra nga antropologë me emër si: Meson, Brifolt, Keler, Pit dhe Dorsi. 
Me prodhimin e të korrave nëpërmjet punës, nomadët mund të vendoseshin pranë tokave, fëmijëria mund të zgjatej, jeta familjare mund të evolonte, stërvitja e të rinjve mund të përparonte dhe kështu në ndërgjegjen njerëzore zuri vend koncepti i lumturisë. Fakti që gruaja arriti ta nxirrte njeriun nga mënyra e jetesës së tij që ngjasonte me atë të kafshës, vetëm sigurimi i ushqimit dhe strehës, është një triumf i qytetërimit.
 

Shoqëria ka ndryshuar, por natyra e gruas mbetet e njëjtë: jo inferiore ndaj burrit, por e ndryshme prej tij. John Fitzsimons (Xhon Fitzimëns) në veprën e tij "Woman Today" (Gruaja sot) (1952),  ka dashur të thotë se karakteristikat femërore dhe mashkullore dhe gjithashtu cilësitë femërore dhe mashkullore, nuk janë ekskluzive për secilën gjini. Këtu bëhet fjalë për karakteristikat femërore, ose cilësitë, të cilat korrespondojnë vetëm për gratë, apo dhe vetëm për burrat. Çdo burrë ka karakteristika të caktuara femërore dhe çdo grua ka karakteristika mashkullore, por mashkullorja mbizotëron në një tipizim mesatar te burri dhe femërorja në një tipizim mesatar te gruaja. Në një botë, në të cilën të gjithë njerëzit do të ishin plotësisht mashkullorë dhe të gjitha gratë krejtësisht femërore, do të ishte e patolerueshme. 

Periudha e industrializimit ishte ajo, e cila ndryshoi fatin e grave në shumë mënyra. Ato fituan liri dhe pavarësi. Një fakt i dukshëm është se gratë ende luftojnë për të ndërtuar imazhin e tyre drejt kufijve të tyre. Këtu ngrihet një pyetje: Kur ndihet gruaja më e përmbushur, në një "jetë të mëparshme" (me detyrat e saj në përgjithësi historike dhe tradicionale, brenda në shtëpi), apo në ditët e sotme, pas një lufte afatgjatë për të luftuar për liri, barazi, pavarësi, punë, arsimim, etj.? Gjatë periudhës së industrializimit, vetëm bërthama e familjes patriarkale mbeti në shtëpi. Gradualisht, familja bërthamë, e përbërë prej prindërve dhe fëmijëve, u bë një fenomen i zakonshëm. Familja bërthamë rrjedh nga familja para-industriale. Industrializimi ishte arsyeja kryesore për ndryshimin në modelet familjare. Me industrializimin, mallrat dhe shërbimet filluan të prodhohen jashtë shtëpisë.

 Shtëpia pushoi së qeni një qendër prodhimi, ndonëse vazhdoi të ishte njësi ekonomike dhe banimi për anëtarët e saj14. Shpesh njerëzit, për shkak, se duan t'i largohen shtëpisë, monotonisë së nxitur nga puna e tyre, janë në kërkim të kënaqësive apo argëtimeve diku tjetër, dhe kjo është mania për kënaqësi, e cila nuk gjendet më në shtëpi, por ndodh që shumicën e kohës njerëzit e kalojnë jashtë mjedisit familjar. Kjo do të thotë se gruaja ka mbetur vetëm, pa mjedisin ku më parë i jepte vlerën dhe qëllimin e saj. Kohë më parë, kjo përbënte rëndësi për mënyrën e të jetuarit të gruas. Sot kjo quhet tragjedia e gruas moderne15, ku shoqëria e re dhe më e zhvilluar ka ardhur në ekzistencën e saj pa të, pra pa gruan, ose le të themi se gruaja moderne ka mbetur pa mbështetjen e nevojshme emocionale dhe sociale për t'i bërë të ditur se ajo ka një vend të pazëvendësueshëm në botë.

 Zhvillimi i ekonomisë duket se e sjell këtë botë në duart e meshkujve, duke e quajtur atë botën e burrit dhe gruaja shihet si konkurrente në këtë lloj bote. Ajo që ne dimë nga historia është se Revolucioni Industrial nuk arriti ta sigurojë gruan me burimin për vetëvlerësim dhe rëndësinë sociale që ajo gëzonte më parë (brenda shtëpisë si figura më e rëndësishme). Pasoja e parë  e këtij ndryshimi ishte se shtëpia u kthye thjesht në një vatër familjare. Ajo pushoi së qeni qendër prodhimi. Duke qenë se shtëpia humbi tokën ose dyqanin, shumica e anëtarëve të saj dilnin gjatë ditës (ose natës) për të punuar për pagën, nëpërmjet së cilës siguronte ushqimin dhe paguante qiranë. 

Megjithatë, vatra familjare ishte vendi që ofronte ushqimin, rehatinë dhe plotësonte nevojat e pagëfituesve për të shkuar në punë të nesërmen. Kështu që, një pjesë e punës mbeti në shtëpi. Familja ishte e organizuar në mënyrë të tillë, ku burri siguronte të ardhurat, ndërsa gruaja dhe fëmijët qëndronin dhe kryenin punët brenda shtëpisë.  Ky stil jetese, në këtë periudhë,  nxorri në pah kufizimin e personalitetit dhe potencialit të gruas. Kjo ndrydhje në jetën e tyre, la hapësirë për reagim, e cila erdhi në formën e protestës feministe.

 Reagimi i parë i feminizmit ishte elementi i ekuilibrit të humbur. Barazia me meshkujt ishte kërkesa më e madhe e grave. Barazia dhe Liria - këto kërkesa ishin të përcaktuara kryesisht në tre sferat kryesore të jetës, në të cilën gruaja ishte e nënshtruar dhe kishte nevojën për çlirim. Këto sfera ishin: prona, edukimi dhe e drejta politike. Gratë janë intelektualisht të barabarta me burrat. Ato mund të kishin sigurinë materiale në martesë, por nuk kishin lehtësi për t'u arsimuar. Pra, kërkesa për barazi intelektuale ishte një nga nevojat e tyre të para, primare. 

Gjithsesi, me të gjitha kërkesat që lëvizja feministe ka ngritur dhe ka arritur në një farë mënyre, a janë zgjidhur të gjitha problemet e grave apo së paku linjat nëpërmjet të cilave do të arrihej zgjidhja? Kjo pyetje korrespondon me luftën për barazi e liri që do të thotë luftë për identitet. Femrat janë në kërkim të një identiteti në botën mashkullore, prandaj feministet e krijuan gruan si një krijesë pa seks, e ftohtë dhe nuk morën parasysh funksionin e saj biologjik, nevojat e saj emocionale, mbi të gjitha për faktin se ajo nuk është e presupozuar nga natyra që të  jetë qoftë vartëse ndaj burrit, ose në konkurrencë me të. Lëvizja feministe ishte e preokupuar me idenë se gratë janë persona me të gjitha të drejtat sociale dhe politike të qenieve njerëzore. Dhe në shumë mënyra gratë i kanë arritur qëllimet e tyre, por ato ende janë duke luftuar në frustrimin e tyre midis punës dhe shtëpisë, frustrim për të gjetur rrugën e saj në qytetërimin mashkullor. 

Shpeshherë lëvizja feministe quhet e tillë sepse nisi si një protestë për pjesëmarrjen e grave në votime, por që nuk ka marrë mjaftueshëm parasysh feminitetin e grave ndaj të cilave ajo mori përsipër t'i emancipojë. Sot pranohet se parimet feministe janë më pak agresive krahasuar me hapat e parë të kësaj lëvizjeje....

Nga libri:
FEMINIZMI NË DISKURSIN FILOZOFIK POSTMODERN 
Mitjana Profiri

Emocionaliteti i grave

.....Emocionaliteti i grave është një stereotip i njohur kulturor, por jo i bazuar mirë. Femrat duket se janë më emocionale sesa burrat për shkak se ato kanë më shumë gjasa për të shprehur emocionet më hapur. Studimet kanë përcaktuar disa prej gjendjeve emocionale të grave: 
1. Varësia: në mënyrë të pashmangshme, për shkak të nevojës së saj për të tjerët, gruaja është e varur prej tyre. Gruaja varet nga burri, sepse ajo shpreson që të fitojë sigurinë prej tyre. Nga mungesa e saj, dhe për më tepër, dëshira për të pasur siguri, bën që kjo e fundit të fitohet me vështirësi, drojë dhe vrazhdësi, e cila është shpesh një karakteristikë femërore. Kjo pasohet edhe me një ndjenjë të inferioritetit, e cila nga ana e saj është prodhuar pjesërisht nga kushtet sociale. E gjithë shoqëria është e organizuar  në mënyrë të tillë, që të imponojë superioritetin mashkullor.  

2. Ankthi: emocionaliteti i gruas është në një masë të konsiderueshme e lidhur me faktorin e dekurajimit. Dekurajimi shpjegohet me rolin dytësor në jetën shoqërore të grave. Kjo përvojë e jetës së tyre që nga fëmijëria i le ato në një mungesë të vetëbesimit. 

3. Intensiteti në marrëdhëniet personale: Gruaja gjen kënaqësinë më të madhe emocionale në marrëdhënie me tjetrin. Kjo sepse në të dhe nëpërmjet saj ajo përfshin gjithë qenien e saj. Gruaja është tërësisht e përfshirë nga personi tjetër në mënyrë të tillë që për meshkujt duket e pakuptimtë43. Në kulturën perëndimore, pak kohë më parë, besohej se gruaja, e cila nuk i  shpreh shumë emocionet, dyshohej se nuk ishte një femër e vërtetë, ndërsa burrat që mbase ndiheshin të lirshëm të shprehin emocionet e tyre, dyshohej se nuk ishin meshkuj.

të vërtetë, apo e shprehur ndryshe, devijonin nga ideali mashkullor. Ata do të paragjykohshin në qoftë se shprehnin emocion, mërzi, që do të thotë se kjo nuk ishte e zakonshme për ta. Aristoteli thotë: "Kushdo që nuk zemërohet kur ka arsye për të qenë i tillë, ose që nuk zemërohet në mënyrën e duhur, në kohën e duhur, dhe me njerëzit e duhur, është i pamatur".  Duke marrë në konsideratë marrëdhënien midis emocioneve dhe arsyes në dikotominë midis burrit dhe gruas, lindin disa pyetje: 

a)      Pse duhet të besojmë në reagimet emocionale të grave si një grup vartës?
 b)      Cilat emocione mund të pranohen dhe cilat mund të hidhen poshtë?

Të gjitha sa u trajtuan më lart lidhen me faktin se si e kuptojmë ne botën dhe kush jemi ne, si të ndryshëm nga njëri-tjetri në raportin më të dallueshëm burrë - grua. Kjo shihet në një këndvështrim epistemologjik. Arsyeja pse gratë arrijnë në përfundime të ndryshme nga burrat, është sepse reagimet tona emocionale ndaj situatave të ndryshme, realizohen sipas botëkuptimit të secilit, sipas mënyrës se si ne e konceptojmë botën dhe se si reagimet tona të ndryshme emocionale na stimulojnë më pas në arritjen e njohurive të reja. Këto formime të reja racionale dhe emocionale, na ndihmojnë ne për të rindërtuar njohjen ndaj botës, jo vetëm si një objekt i jashtëm, por edhe në marrëdhënie me të, me pozicionin tonë shoqëror në të, me veprimet tona, me vlerat, perceptimet dhe emocionet tona, të cilat janë të pandashme nga rindërtimi i vetes sonë. Studiuesit sot pranojnë se më e besueshme është e vërteta që bazohet në përgjithësime, të cilat kanë formën e dokumenteve të përligjura historike, por meqë hartuesit e këtyre dokumenteve kanë qenë meshkuj, priret që e vërteta në histori të ketë pamje të njëanshme. Në këtë prirje është e dukshme se mungon forca e grave, të cilat kanë qenë pjesë e zhvillimeve historike dhe madje kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në histori....  


Nga libri:
FEMINIZMI NË DISKURSIN FILOZOFIK POSTMODERN 
Mitjana Profiri

Moskundërshtimi i vajzës

Moskundërshtimi i vajzës

Sipas normave kanunore, shprehur edhe në paragrafin 15 të Kanunit të Skënderbeut,  vajza nuk ka asnjë të drejtë të mendojë dhe të japë pëlqimin për fejesën e vet; këtë të drejtë e kanë vetëm meshkujt e familjes: babai, vëllëzërit, vëllezërit e babait ose dajat nëse nuk ka meshkuj nga fisi i babait:  “vajza do të marrë atë burrë që do t’i japë prindi” (Ilia, F., 1993:27). Vajza nuk mund ta kundërshtojë dot fejesën, edhe nëse burri ka një grua tjetër, sepse sipas normave kanunore: “Vajza e mirë nuk qet za, i bindet fatit” (Goci, H., 2010:51).  Djali mund ta lerë vajzën nëse asaj i dalin fjalë për nderin, edhe kur fjalët vështirë të provohen. Sipas Kanunit të Lumës, paragrafi 120, “Cuca ndër sheja lëshohet, djali jo, edhe po muer gru tjetër. Po nuk pranoi cuca të martohet me atë burrë që i asht fal, çon gjak ke të vetët (Hoxha, Sh., 2013:104). Nëse vajza ngelet shtatzanë gjatë fejesës, vritet nga babai, nëse ka dyshime se babai i fëmijës nuk është i fejuari, ndërsa nëse vajza e fejuar ngelet shtazanë gjatë fejesës më të fejuarin përshpejtohet dita e dasmës. Nëse vajza e lë të fejuarin dhe ikën për t’u martuar më një burrë tjetër, ajo vritet sepse ka çnderuar miqësinë dhe ka prerë në besë familjen e djalit që ka paguar çmimin e nuses (shenjën e fejesës). Në krahinën e Tiranës, Kanuni i Bendës, në paragrafët 46, 47 dhe 51,  e rregullon kështu lëshimin e vajzës ndër sheja (nën shenjë fejese, unazë): “Në rast se vajzës i dalin fjalë për nderin, atëherë djali e lëshon. Me dal goca me barrë, ha plumbin kres nga i ati. Në rast se goca nën unazë ikën me një burrë tjetër, kët e lan pushka, fishekun e ka prindi i saj” (Goci, H., 2010:36).  Vajzat, por edhe djemtë, e kishin rreptësisht të ndaluar të dashuronin dhe të martoheshin në bazë të ndjenjave dhe tërheqjes erotike të ndërsjelltë.

Dashuria është parë si sjellje e tupshme dhe çnderuese nga normat kulturore kanunore. Për ndalimin e dashurisë, studiuesi Zyhdi Dervishi shprehet “Në shoqërinë tradicionale shqiptare një nga brengat më traumatizuese ka qenë dashuria e parealizuar e të rejave dhe të rinjve, kjo ndjenjë e brishtë gati hyjnore që i paraprin formimit të familjes, krijimit të jetës, që ndikon fuqishëm në fismërimin e humanizimin e çdo individi, të gjithë shoqërisë. Madje funksiononin mjaft tabu që i detyronin të rejat dhe të rinjtë të mos i artikulonin ëndrrat e tyre për djalin ose vajzën e zemrës, jo vetëm në mjedise publike të gjera, por as edhe ndër miqtë më të afërt. Pothuajse në çdo rast artikulime të tilla konsideroheshin si shfaqje imoraliteti, si mungesë burrërie, etj. Publikimi i një dashurie, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, mund t’i përfshinte në konflikte të ashpra deri në viktimizime familjen e djalit me anë të vajzës, si dhe fiset e tyre” (2008:90).  Kundështimi i fejesës nga vajza mund të bëhej vetëm nëse ajo vendoste të qëndronte përgjithmonë beqare sepse, përndryshe, shkaktonte gjakderdhje.

 Vajza virgjinë edhe pse nuk dëshironte ta marrte të fejuarin, ngelej e fejuara e tij. Vajza nuk detyrorej me pahir ta marrte të fejuarin, prandaj kur ajo e refuzonte fejesën, familjes së djalit i “shkonte sheji hup” (i humb pagesa e bërë në fejesë), por shtëpia e vajzës detyrohej “me iu la be shpis së djalit me 12 provëtar dhe po u shkel beja baba i vajzës bie në gjak se i ka mikut nji gjrue borxh” (Hoxha, Sh., 2013:105). Andromaqi Gjergji, studiuese e normave zakonore, ka vërejtur se dukuria e virgjinave ka ekzistuar deri ne vitin 1960 nëpër malësitë e Veriut deri në Mat e Çermenikë (Gjergji, A., 2002:50).  Në krahinën e Tiranës nuk janë gjetur dëshmi të dukurisë së virgjinave. Edhe në zonat e islamizuara ne veri të vendit, kjo dukuri nuk ka qenë shumë e përhapur, pavarësisht se parashikohej në normat dokësore. Në Kanunin e Bendës, vajza që shmderrohej në burrë quhet djaloshe, pikërisht sepse zevëndësonte djalin e munguar në shtëpi: “Djaloshja ash nji vajzë që asht betu mos martohet sa të jetë gjallë; ajo vishet si burrë, me brekushe e xhoke, ngjesh kësul të bardh, mban sahat me qostek, kuti duhani, çibuk, unur dhe eshkë. Djaloshja mban dhe armë e qëndron me burra në kuvend, por veç me ndigjue se kanuni e ndalon zanin e grus në kuvend” (Goci, H., 2010:40). Në kanunin e Skënderbeut, në paragrafin 983, pozita e vajzës virgjinë është e njejtë me atë të Kanunit të Bendës, “ajo është zot shtëpie kur shtëpia e saj nuk ka burrë, po në kuvend burrash e pleqsish nuk ka za” (Ilia, F., 1993:74). Në krahinën e Lumës, vajza virgjinë quhej cucë-burrë ose vejane (beqare). Ajo mund të ishte zot shtëpie dhe të kishte “za në kuvend të barkut (të shtëpisë së vet) dhe të fisit” (Hoxha, Sh., 2013:37).

Më e pranishme, dukuria e virgjinave ka qenë në Malësinë e Mbishkodrës dhe krahinën e Dukagjinit, që përfshin një pjesë të Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës, kryesisht në familjet katolike, vajzat e të cilave të shtyra nga rrethanat familjare në mungesë djemsh, merrnin rolin e mashkullit, për të vazhduar funksionet shoqërore të familjes si: menaxhimi i pronës për të ushqyer pjesëtarët e familjes, marrja e gjakut, përfaqësimi i familjes, lidhja e fejesave për vajzat e shtëpisë, punët e burrave jashtë shtëpisë, etj. Përvec virgjinës, (ri)martësën mund ta kundërshtonte edhe gruaja e ve, e cila vendoste vetë për martesën e dytë. Sipas Kanunit të Lumës, paragrafi 206, nëse gruaja e ve nuk pyetej nëse donte të martohej dhe martohej pa dëshirën e saj, ajo “t’i kthente krushqit n’udhë” (Hoxha, Sh., 2013:117).