Historikisht, gruaja ka pasur një mungesë të statusit të saj. Ky fakt është i qartë në shoqëri të ndryshme. Zakonisht figura e një gruaje është fshehur nga të tjerët, por në të njëjtën kohë, edhe ajo vetë ka fshehur veten. Ky lloj personi nuk thotë shumë për atë se si të bësh projekte. Kjo ide është përmendur nga Simone de Beauvoir (Simon dë Bovuar). Këtu ngrihet një pyetje: Si të bëjmë projekte? Duke e bërë vetë projektin tuaj, kjo e bën një grua të rëndësishme. Dhe kjo është ajo që pikërisht Simon dë Bovuar kërkonte për të vënë në dukje, të kemi të drejtën për të bërë zgjedhjet tona, kjo është ajo që na bën ne gra6. Është diskutuar më parë, shumë vite më parë, qëkurse feminizmi ka nisur rrugën e tij në mënyrë revolucionare për të ndryshuar statusin e grave, për të ndryshuar atë që ka qenë e shtypur nga bota mashkullore. Si rrjedhojë, shtëpia sot nuk ze më një vend qendror, dhe kjo është, përveç shumë arsyeve të tjera, sepse gratë janë në kërkim të pozitës së tyre në botë, në jetën e tyre personale, në ndërtimin e imazhit të tyre si subjekt dhe jo më si një predikat. Kështu shprehet Mary Beard (Meri Bërd) te kryevepra e saj “Gruaja si një forcë në histori: Një studim mbi traditat dhe realitetet” (1946), se “Gruaja është e ndryshme nga burri, por kjo nuk do të thotë se kontributi i grave ka një vlerë më të pakët, grave nuk u njihej kontributi real në histori”. Ajo këmbëngulte se “gratë mund t’i ofronin shoqërisë diçka të ndryshme nga ajo që mund t’i ofronin burrat”
Evoluimi i imazhit të gruas në kohë
"Shoqëria ka ndryshuar, por natyra e gruas mbetet e njëjtë: jo inferiore ndaj burrit, por e ndryshme prej tij". John Fitzsimons.
Në fund të shekullit të XX-të, antropologë, arkeologë, etnologë dhe kërkues të tjerë, eksploruan mbi origjinat sociale. Gruaja bën dallimin e parë mes njeriut dhe kafshës. Përsa i përket rolit që ka luajtur gruaja në shoqëritë primitive, asaj duhet t’i jepen të gjitha kreditet sepse ka qenë ajo, e cila ka bërë dallimin e parë të mprehtë midis qenieve njerëzore dhe bishave të mëdha grabitqare.
Ku konsistonte dallimi? Në ndërgjegjen e njeriut zuri vend koncepti i lumturisë. Është një triumf i qytetërimit ndryshimi i mënyrës së jetesës nga gruaja. Dallimi konsistonte te gatimi, përgatitja e veshjeve, shpikja e kasolleve të banimit, manifakturimi i enëve prej qeramike, zgjerimi i dietës, mësimi i gjërave për mjekim, zbutja e kafshëve me qëllim shërbimin ndaj njerëzve, zgjerimi i komunikimit të ndjenjave dhe ideve nëpërmjet të folurit, këngës e leximit, punimi i tokës, etj. Këto janë rezultate të nxjerra nga antropologë me emër si: Meson, Brifolt, Keler, Pit dhe Dorsi.
Me prodhimin e të korrave nëpërmjet punës, nomadët mund të vendoseshin pranë tokave, fëmijëria mund të zgjatej, jeta familjare mund të evolonte, stërvitja e të rinjve mund të përparonte dhe kështu në ndërgjegjen njerëzore zuri vend koncepti i lumturisë. Fakti që gruaja arriti ta nxirrte njeriun nga mënyra e jetesës së tij që ngjasonte me atë të kafshës, vetëm sigurimi i ushqimit dhe strehës, është një triumf i qytetërimit.
Shoqëria ka ndryshuar, por natyra e gruas mbetet e njëjtë: jo inferiore ndaj burrit, por e ndryshme prej tij. John Fitzsimons (Xhon Fitzimëns) në veprën e tij "Woman Today" (Gruaja sot) (1952), ka dashur të thotë se karakteristikat femërore dhe mashkullore dhe gjithashtu cilësitë femërore dhe mashkullore, nuk janë ekskluzive për secilën gjini. Këtu bëhet fjalë për karakteristikat femërore, ose cilësitë, të cilat korrespondojnë vetëm për gratë, apo dhe vetëm për burrat. Çdo burrë ka karakteristika të caktuara femërore dhe çdo grua ka karakteristika mashkullore, por mashkullorja mbizotëron në një tipizim mesatar te burri dhe femërorja në një tipizim mesatar te gruaja. Në një botë, në të cilën të gjithë njerëzit do të ishin plotësisht mashkullorë dhe të gjitha gratë krejtësisht femërore, do të ishte e patolerueshme.
Periudha e industrializimit ishte ajo, e cila ndryshoi fatin e grave në shumë mënyra. Ato fituan liri dhe pavarësi. Një fakt i dukshëm është se gratë ende luftojnë për të ndërtuar imazhin e tyre drejt kufijve të tyre. Këtu ngrihet një pyetje: Kur ndihet gruaja më e përmbushur, në një "jetë të mëparshme" (me detyrat e saj në përgjithësi historike dhe tradicionale, brenda në shtëpi), apo në ditët e sotme, pas një lufte afatgjatë për të luftuar për liri, barazi, pavarësi, punë, arsimim, etj.? Gjatë periudhës së industrializimit, vetëm bërthama e familjes patriarkale mbeti në shtëpi. Gradualisht, familja bërthamë, e përbërë prej prindërve dhe fëmijëve, u bë një fenomen i zakonshëm. Familja bërthamë rrjedh nga familja para-industriale. Industrializimi ishte arsyeja kryesore për ndryshimin në modelet familjare. Me industrializimin, mallrat dhe shërbimet filluan të prodhohen jashtë shtëpisë.
Shtëpia pushoi së qeni një qendër prodhimi, ndonëse vazhdoi të ishte njësi ekonomike dhe banimi për anëtarët e saj14. Shpesh njerëzit, për shkak, se duan t'i largohen shtëpisë, monotonisë së nxitur nga puna e tyre, janë në kërkim të kënaqësive apo argëtimeve diku tjetër, dhe kjo është mania për kënaqësi, e cila nuk gjendet më në shtëpi, por ndodh që shumicën e kohës njerëzit e kalojnë jashtë mjedisit familjar. Kjo do të thotë se gruaja ka mbetur vetëm, pa mjedisin ku më parë i jepte vlerën dhe qëllimin e saj. Kohë më parë, kjo përbënte rëndësi për mënyrën e të jetuarit të gruas. Sot kjo quhet tragjedia e gruas moderne15, ku shoqëria e re dhe më e zhvilluar ka ardhur në ekzistencën e saj pa të, pra pa gruan, ose le të themi se gruaja moderne ka mbetur pa mbështetjen e nevojshme emocionale dhe sociale për t'i bërë të ditur se ajo ka një vend të pazëvendësueshëm në botë.
Zhvillimi i ekonomisë duket se e sjell këtë botë në duart e meshkujve, duke e quajtur atë botën e burrit dhe gruaja shihet si konkurrente në këtë lloj bote. Ajo që ne dimë nga historia është se Revolucioni Industrial nuk arriti ta sigurojë gruan me burimin për vetëvlerësim dhe rëndësinë sociale që ajo gëzonte më parë (brenda shtëpisë si figura më e rëndësishme). Pasoja e parë e këtij ndryshimi ishte se shtëpia u kthye thjesht në një vatër familjare. Ajo pushoi së qeni qendër prodhimi. Duke qenë se shtëpia humbi tokën ose dyqanin, shumica e anëtarëve të saj dilnin gjatë ditës (ose natës) për të punuar për pagën, nëpërmjet së cilës siguronte ushqimin dhe paguante qiranë.
Megjithatë, vatra familjare ishte vendi që ofronte ushqimin, rehatinë dhe plotësonte nevojat e pagëfituesve për të shkuar në punë të nesërmen. Kështu që, një pjesë e punës mbeti në shtëpi. Familja ishte e organizuar në mënyrë të tillë, ku burri siguronte të ardhurat, ndërsa gruaja dhe fëmijët qëndronin dhe kryenin punët brenda shtëpisë. Ky stil jetese, në këtë periudhë, nxorri në pah kufizimin e personalitetit dhe potencialit të gruas. Kjo ndrydhje në jetën e tyre, la hapësirë për reagim, e cila erdhi në formën e protestës feministe.
Reagimi i parë i feminizmit ishte elementi i ekuilibrit të humbur. Barazia me meshkujt ishte kërkesa më e madhe e grave. Barazia dhe Liria - këto kërkesa ishin të përcaktuara kryesisht në tre sferat kryesore të jetës, në të cilën gruaja ishte e nënshtruar dhe kishte nevojën për çlirim. Këto sfera ishin: prona, edukimi dhe e drejta politike. Gratë janë intelektualisht të barabarta me burrat. Ato mund të kishin sigurinë materiale në martesë, por nuk kishin lehtësi për t'u arsimuar. Pra, kërkesa për barazi intelektuale ishte një nga nevojat e tyre të para, primare.
Gjithsesi, me të gjitha kërkesat që lëvizja feministe ka ngritur dhe ka arritur në një farë mënyre, a janë zgjidhur të gjitha problemet e grave apo së paku linjat nëpërmjet të cilave do të arrihej zgjidhja? Kjo pyetje korrespondon me luftën për barazi e liri që do të thotë luftë për identitet. Femrat janë në kërkim të një identiteti në botën mashkullore, prandaj feministet e krijuan gruan si një krijesë pa seks, e ftohtë dhe nuk morën parasysh funksionin e saj biologjik, nevojat e saj emocionale, mbi të gjitha për faktin se ajo nuk është e presupozuar nga natyra që të jetë qoftë vartëse ndaj burrit, ose në konkurrencë me të. Lëvizja feministe ishte e preokupuar me idenë se gratë janë persona me të gjitha të drejtat sociale dhe politike të qenieve njerëzore. Dhe në shumë mënyra gratë i kanë arritur qëllimet e tyre, por ato ende janë duke luftuar në frustrimin e tyre midis punës dhe shtëpisë, frustrim për të gjetur rrugën e saj në qytetërimin mashkullor.
Shpeshherë lëvizja feministe quhet e tillë sepse nisi si një protestë për pjesëmarrjen e grave në votime, por që nuk ka marrë mjaftueshëm parasysh feminitetin e grave ndaj të cilave ajo mori përsipër t'i emancipojë. Sot pranohet se parimet feministe janë më pak agresive krahasuar me hapat e parë të kësaj lëvizjeje....
Nga libri:
FEMINIZMI NË DISKURSIN FILOZOFIK POSTMODERN
Mitjana Profiri
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.