Moskundërshtimi i vajzës
Sipas normave kanunore, shprehur edhe në paragrafin 15 të Kanunit të Skënderbeut, vajza nuk ka asnjë të drejtë të mendojë dhe të japë pëlqimin për fejesën e vet; këtë të drejtë e kanë vetëm meshkujt e familjes: babai, vëllëzërit, vëllezërit e babait ose dajat nëse nuk ka meshkuj nga fisi i babait: “vajza do të marrë atë burrë që do t’i japë prindi” (Ilia, F., 1993:27). Vajza nuk mund ta kundërshtojë dot fejesën, edhe nëse burri ka një grua tjetër, sepse sipas normave kanunore: “Vajza e mirë nuk qet za, i bindet fatit” (Goci, H., 2010:51). Djali mund ta lerë vajzën nëse asaj i dalin fjalë për nderin, edhe kur fjalët vështirë të provohen. Sipas Kanunit të Lumës, paragrafi 120, “Cuca ndër sheja lëshohet, djali jo, edhe po muer gru tjetër. Po nuk pranoi cuca të martohet me atë burrë që i asht fal, çon gjak ke të vetët (Hoxha, Sh., 2013:104). Nëse vajza ngelet shtatzanë gjatë fejesës, vritet nga babai, nëse ka dyshime se babai i fëmijës nuk është i fejuari, ndërsa nëse vajza e fejuar ngelet shtazanë gjatë fejesës më të fejuarin përshpejtohet dita e dasmës. Nëse vajza e lë të fejuarin dhe ikën për t’u martuar më një burrë tjetër, ajo vritet sepse ka çnderuar miqësinë dhe ka prerë në besë familjen e djalit që ka paguar çmimin e nuses (shenjën e fejesës). Në krahinën e Tiranës, Kanuni i Bendës, në paragrafët 46, 47 dhe 51, e rregullon kështu lëshimin e vajzës ndër sheja (nën shenjë fejese, unazë): “Në rast se vajzës i dalin fjalë për nderin, atëherë djali e lëshon. Me dal goca me barrë, ha plumbin kres nga i ati. Në rast se goca nën unazë ikën me një burrë tjetër, kët e lan pushka, fishekun e ka prindi i saj” (Goci, H., 2010:36). Vajzat, por edhe djemtë, e kishin rreptësisht të ndaluar të dashuronin dhe të martoheshin në bazë të ndjenjave dhe tërheqjes erotike të ndërsjelltë.
Dashuria është parë si sjellje e tupshme dhe çnderuese nga normat kulturore kanunore. Për ndalimin e dashurisë, studiuesi Zyhdi Dervishi shprehet “Në shoqërinë tradicionale shqiptare një nga brengat më traumatizuese ka qenë dashuria e parealizuar e të rejave dhe të rinjve, kjo ndjenjë e brishtë gati hyjnore që i paraprin formimit të familjes, krijimit të jetës, që ndikon fuqishëm në fismërimin e humanizimin e çdo individi, të gjithë shoqërisë. Madje funksiononin mjaft tabu që i detyronin të rejat dhe të rinjtë të mos i artikulonin ëndrrat e tyre për djalin ose vajzën e zemrës, jo vetëm në mjedise publike të gjera, por as edhe ndër miqtë më të afërt. Pothuajse në çdo rast artikulime të tilla konsideroheshin si shfaqje imoraliteti, si mungesë burrërie, etj. Publikimi i një dashurie, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, mund t’i përfshinte në konflikte të ashpra deri në viktimizime familjen e djalit me anë të vajzës, si dhe fiset e tyre” (2008:90). Kundështimi i fejesës nga vajza mund të bëhej vetëm nëse ajo vendoste të qëndronte përgjithmonë beqare sepse, përndryshe, shkaktonte gjakderdhje.
Vajza virgjinë edhe pse nuk dëshironte ta marrte të fejuarin, ngelej e fejuara e tij. Vajza nuk detyrorej me pahir ta marrte të fejuarin, prandaj kur ajo e refuzonte fejesën, familjes së djalit i “shkonte sheji hup” (i humb pagesa e bërë në fejesë), por shtëpia e vajzës detyrohej “me iu la be shpis së djalit me 12 provëtar dhe po u shkel beja baba i vajzës bie në gjak se i ka mikut nji gjrue borxh” (Hoxha, Sh., 2013:105). Andromaqi Gjergji, studiuese e normave zakonore, ka vërejtur se dukuria e virgjinave ka ekzistuar deri ne vitin 1960 nëpër malësitë e Veriut deri në Mat e Çermenikë (Gjergji, A., 2002:50). Në krahinën e Tiranës nuk janë gjetur dëshmi të dukurisë së virgjinave. Edhe në zonat e islamizuara ne veri të vendit, kjo dukuri nuk ka qenë shumë e përhapur, pavarësisht se parashikohej në normat dokësore. Në Kanunin e Bendës, vajza që shmderrohej në burrë quhet djaloshe, pikërisht sepse zevëndësonte djalin e munguar në shtëpi: “Djaloshja ash nji vajzë që asht betu mos martohet sa të jetë gjallë; ajo vishet si burrë, me brekushe e xhoke, ngjesh kësul të bardh, mban sahat me qostek, kuti duhani, çibuk, unur dhe eshkë. Djaloshja mban dhe armë e qëndron me burra në kuvend, por veç me ndigjue se kanuni e ndalon zanin e grus në kuvend” (Goci, H., 2010:40). Në kanunin e Skënderbeut, në paragrafin 983, pozita e vajzës virgjinë është e njejtë me atë të Kanunit të Bendës, “ajo është zot shtëpie kur shtëpia e saj nuk ka burrë, po në kuvend burrash e pleqsish nuk ka za” (Ilia, F., 1993:74). Në krahinën e Lumës, vajza virgjinë quhej cucë-burrë ose vejane (beqare). Ajo mund të ishte zot shtëpie dhe të kishte “za në kuvend të barkut (të shtëpisë së vet) dhe të fisit” (Hoxha, Sh., 2013:37).
Më e pranishme, dukuria e virgjinave ka qenë në Malësinë e Mbishkodrës dhe krahinën e Dukagjinit, që përfshin një pjesë të Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës, kryesisht në familjet katolike, vajzat e të cilave të shtyra nga rrethanat familjare në mungesë djemsh, merrnin rolin e mashkullit, për të vazhduar funksionet shoqërore të familjes si: menaxhimi i pronës për të ushqyer pjesëtarët e familjes, marrja e gjakut, përfaqësimi i familjes, lidhja e fejesave për vajzat e shtëpisë, punët e burrave jashtë shtëpisë, etj. Përvec virgjinës, (ri)martësën mund ta kundërshtonte edhe gruaja e ve, e cila vendoste vetë për martesën e dytë. Sipas Kanunit të Lumës, paragrafi 206, nëse gruaja e ve nuk pyetej nëse donte të martohej dhe martohej pa dëshirën e saj, ajo “t’i kthente krushqit n’udhë” (Hoxha, Sh., 2013:117).
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.