söndag 15 september 2019

Emocionaliteti i grave

.....Emocionaliteti i grave është një stereotip i njohur kulturor, por jo i bazuar mirë. Femrat duket se janë më emocionale sesa burrat për shkak se ato kanë më shumë gjasa për të shprehur emocionet më hapur. Studimet kanë përcaktuar disa prej gjendjeve emocionale të grave: 
1. Varësia: në mënyrë të pashmangshme, për shkak të nevojës së saj për të tjerët, gruaja është e varur prej tyre. Gruaja varet nga burri, sepse ajo shpreson që të fitojë sigurinë prej tyre. Nga mungesa e saj, dhe për më tepër, dëshira për të pasur siguri, bën që kjo e fundit të fitohet me vështirësi, drojë dhe vrazhdësi, e cila është shpesh një karakteristikë femërore. Kjo pasohet edhe me një ndjenjë të inferioritetit, e cila nga ana e saj është prodhuar pjesërisht nga kushtet sociale. E gjithë shoqëria është e organizuar  në mënyrë të tillë, që të imponojë superioritetin mashkullor.  

2. Ankthi: emocionaliteti i gruas është në një masë të konsiderueshme e lidhur me faktorin e dekurajimit. Dekurajimi shpjegohet me rolin dytësor në jetën shoqërore të grave. Kjo përvojë e jetës së tyre që nga fëmijëria i le ato në një mungesë të vetëbesimit. 

3. Intensiteti në marrëdhëniet personale: Gruaja gjen kënaqësinë më të madhe emocionale në marrëdhënie me tjetrin. Kjo sepse në të dhe nëpërmjet saj ajo përfshin gjithë qenien e saj. Gruaja është tërësisht e përfshirë nga personi tjetër në mënyrë të tillë që për meshkujt duket e pakuptimtë43. Në kulturën perëndimore, pak kohë më parë, besohej se gruaja, e cila nuk i  shpreh shumë emocionet, dyshohej se nuk ishte një femër e vërtetë, ndërsa burrat që mbase ndiheshin të lirshëm të shprehin emocionet e tyre, dyshohej se nuk ishin meshkuj.

të vërtetë, apo e shprehur ndryshe, devijonin nga ideali mashkullor. Ata do të paragjykohshin në qoftë se shprehnin emocion, mërzi, që do të thotë se kjo nuk ishte e zakonshme për ta. Aristoteli thotë: "Kushdo që nuk zemërohet kur ka arsye për të qenë i tillë, ose që nuk zemërohet në mënyrën e duhur, në kohën e duhur, dhe me njerëzit e duhur, është i pamatur".  Duke marrë në konsideratë marrëdhënien midis emocioneve dhe arsyes në dikotominë midis burrit dhe gruas, lindin disa pyetje: 

a)      Pse duhet të besojmë në reagimet emocionale të grave si një grup vartës?
 b)      Cilat emocione mund të pranohen dhe cilat mund të hidhen poshtë?

Të gjitha sa u trajtuan më lart lidhen me faktin se si e kuptojmë ne botën dhe kush jemi ne, si të ndryshëm nga njëri-tjetri në raportin më të dallueshëm burrë - grua. Kjo shihet në një këndvështrim epistemologjik. Arsyeja pse gratë arrijnë në përfundime të ndryshme nga burrat, është sepse reagimet tona emocionale ndaj situatave të ndryshme, realizohen sipas botëkuptimit të secilit, sipas mënyrës se si ne e konceptojmë botën dhe se si reagimet tona të ndryshme emocionale na stimulojnë më pas në arritjen e njohurive të reja. Këto formime të reja racionale dhe emocionale, na ndihmojnë ne për të rindërtuar njohjen ndaj botës, jo vetëm si një objekt i jashtëm, por edhe në marrëdhënie me të, me pozicionin tonë shoqëror në të, me veprimet tona, me vlerat, perceptimet dhe emocionet tona, të cilat janë të pandashme nga rindërtimi i vetes sonë. Studiuesit sot pranojnë se më e besueshme është e vërteta që bazohet në përgjithësime, të cilat kanë formën e dokumenteve të përligjura historike, por meqë hartuesit e këtyre dokumenteve kanë qenë meshkuj, priret që e vërteta në histori të ketë pamje të njëanshme. Në këtë prirje është e dukshme se mungon forca e grave, të cilat kanë qenë pjesë e zhvillimeve historike dhe madje kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në histori....  


Nga libri:
FEMINIZMI NË DISKURSIN FILOZOFIK POSTMODERN 
Mitjana Profiri

Inga kommentarer:

Skicka en kommentar

Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.