Paragjykimet në familjen e bashkëshortit
Në Farkë, popullsia ka përbërje heterogjene: me vendas nga pjesa kodrinore dhe malore e Tiranës dhe me të ardhur kryesisht nga rrethet e Kukësit dhe të Dibrës. Megjithëse në mendësitë e shumicës së banorëve veprojnë norma kulturore të krahinës së Tiranës, ekziston edhe një përzierje e ndërsjelljte nënkulturash mes vendasve dhe të ardhurve për shkak të bashkëjetësës disavjeçare në të njëjtin territor. Edhe pse mund të mos kenë ndikimin e dikurshëm, normat tradicionale, të mbartura ndër shekuj dhe të përmbledhura në kode sjellore, veprojnë ende dhe shërbejnë si rregullatore të sjelljes në familje dhe bashkësi. Kanunet me më shumë ndikim janë: Kanuni i Bendës për vendasit, Kanuni i Lumës për banorët me origjinë nga qarku i Kukësit dhe Kanuni i Skenderbeut për banorët e malësisë së Tiranës dhe Dibrës.
Të tre kanunet kanë shumë ngjashmëri me Kanunin e Lekë Dukagjinit, aq sa duken si nënvariante të tij. Kanunet kanë pasur shumë ndikim në mendësitë dhe sjelljen e banorëve të zonave rurale dhe kanë shërbyer si ligje për banorët. Ndikimit të tyre nuk i shpëtonte dot asnjë familje pa u ndëshkuar moralisht nga bashkësia. Agjencia e kontrollit kolektiv ka shërbyer si mekanizëm për zbatimin dhe ruajtjen e normave kanunore deri në ditët e sotme. Sikurse thuhet në Kanunin e Skëndërbeut “Kanuni asht ligj për të gjithë, përndryshe ndahesh prej shoqnisë” (Ilia, F., 1993:17). Ndëshkimet për moszbatim të normave kanunore nuk ishin vetëm morale, por edhe materiale, si: djegje shtëpie, grimja katundarisht e pjesëtarit të familjes që nuk zbatonte kanunin, lëçitja ose dëbimi i familjes nga vëllazëria e katundi, djegja e shtëpisë dhe rrënimi i pasurisë, gjobat, etj.
Megjithë ngjashmërinë mes tyre, kanunet dallojnë për nga ngjyresat nënkulturore që kanë ndikim tek banorët mbi të cilët zbatohet. Të ardhurit në Farkë, duke qenë nga Kukësi dhe Dibra, kanë rrjetin e tyre simbolik të vlerave nënkulturore, i cili ndryshon paksa nga ai i nënkulturës tiranase. Të ardhurit janë të lirë t’i përmbahen vlerave të nënkultureës së tyre, për aq kohë sa nuk janë në kundërshtim me normat vlerore të vendasve. Për ruajtjen e traditës nënkulturore nga komunitetet e ardhura në një zonë pritëse, si pasojë e migrimit të brendshëm Zyhdi Dervishi shprehet: “Në shoqërinë tradicionale shqiptare, komunitetet e vogla të banorëve të një fisi ose fshati kishin hapësirë të konsiderueshme të zhvillonin traditat e veta nënkulturore, me kusht që të mos cënonin normat kryesore kulturore dhe interesat e grupimve shoqërore më të mëdha si banorët e bajrakut” (2013:35).
Gjithashtu, etnografja shqiptare Andromaqi Gjergji që ka studiuar me imtësi mënyrën e jetesës së banorëve të fshatrave, vëren se “në jetën e përditshme marrëdhëniet e jetës familjare në fshat rregulloheshin nga norma e zakone të pashkruara kanunore” (2002:48). Në studim 72.0 për qind janë gra të martuara, të cilat dëshmojnë se kanë qenë pre e paragjykimeve të shumta në të gjitha fazat e jetës bashkëshortore që nga fejesa e deri sa janë bërë nëna. Edhe pse janë paragjykuar më shumë në martesë, gratë pohojnë se me paragjykimet në familjen dhe fisin e bashkëshortit janë përballur më herët, që në fejesë, 21 për qind e grave janë paragjykuar si të fejuara dhe 23 për qind janë paragjykuar si nëna.
Përqindja relativisht më e ulët e paragjykimeve në kohën e fejesës ka të bëjë me faktin se, gjatë kohës që janë të fejuara, vajzat nuk jetojnë në shtëpinë e bashkëshortit e, për pasojë, familjarët dhe të afërmit e tij nuk kanë mundësi të kenë kontakte, ndërveprim dhe komunikim të përditshëm me to. Si të fejuara, ato më shumë vëzhgohen së largu, për mënyrën se si sillen në lagjen ku banojnë, në vendin e punës, në marrëdhëniet me fqinjët, etj., se sa së afërmi. Marrëdhëniet me familjarët e të fejuarit janë të pakta, ndodhin kryesisht gjatë vizitave të nuses së ardhshme në shtëpinë e djalit, dhe në këto vizita të dyja palët, si nusja edhe familjarët e dhëndrit mundohen t’i bëjnë përshtypje të mirë njëri-tjetrit. Në këto takime, vajza e fejuar është më shumë në statusin e mikeshës se sa të nuses së shtëpisë. Duke qenë se vizitat janë të rralla dhe zgjasin pak, asnjëra palë nuk ka mundësi të vendosë një raport të çlirët marrëdhëniesh familjare dhe të jetë vetvetja. Ceremoniali i vizitës nuk lejon shkrirjen e plotë të akullit që imponon përkohshmëria. Vetëm bashkëjetesa e përditëshme nën të njejtën çati do mund të hiqte velin me të cilin mbulohet sjellja e vertëtë. Mosnjohja e thellë bën që familjarët e të fejuarit të jenë paragjykues për cilësitë dhe aftësitë e nuses së ardhshme, parë në dritën e pritshmërive kulturore që ata kanë për të si nuse zakoni.
NDRYSHIMET BASHKËKOHORE NË MENDËSITË E SHQIPTARËVE PËR VAJZAT DHE GRATË
Merita Poni
Inga kommentarer:
Skicka en kommentar
Obs! Endast bloggmedlemmar kan kommentera.